AlbanianSport.com 22/02/2019 19:35
ASNN – Dy skuadrat e Tiranës, konkretisht Shoqata e Klubit të Basketbollit Femra (SH.K.B.F.) Tirana, e trajnerit Erald Borova, si dhe Shoqata e Basketbollit Femra (SH.B.F) Tirana e trajneres Mirza Alibegaj, korrën të premten fitore relativisht të lehta e të rëndësishme për fatet e kampionatit, pasi jo vetëm konfirmohen në kryesim, por njëherësh bëjnë përpara drejt objektivave të tyre.
Kështu, në kuadër të javës së 13-të në Grupin A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, Tirana e trajnerit Erdal Borova mundi me meritë Vllazninë me rezultatin 83-63, një fitore me 20 pikë diferencë dhe që tregon se Tirana jo vetëm e ka dominuar, por as e vuri në diskutim këtë sukses. Natyrisht, fitorja e ndihmon skuadrën e Borovës të ruajë kryesimin dhe të shohë përpara në këto pozita për ta mbyllur në vend të parë.
Ishte një ecuri progresive e vajzave bardheblu, që nisën të shkëputen hap pas hapi dhe në fund duke thelluar diferencën, një fitore që mban SH.K.B.F.Tiranën në vend të parë, deri tani e pa kërcënuar nga rivalet e saj në garë. Një fitore të ngjashme por me diferenca më të thella korri SH.B.F. Tirana e trajneres Mirza Alibegaj, e cila mundi Elbasanin me rezultatin 96-66.
Ishte një fitore e padiskutuar dhe pa ndonjë emocion të veçantë, sepse diferencat midis dy skuadrave ishin të ndjeshme. Ky takim ngjante më shumë si një stërvitje e ekipit të Alibegajt, e cila bëri detyrën dhe ruan pozitat e saj në renditje, duke qenë vetëm 1 pikë larg rivales së saj, Tiranës së Borovës (24-23 pikë). Sa i takon Elbasanit, kjo skuadër regjistroi humbjen e 13-të radhazi.
Dhe mund të thuhet me plot gojën se sezonin tjetër do të luajë një kategori më poshtë. Ndërkohë, të shtunën do të luhet në Vlorë, në orën 11:00 dueli i fundit i javës së 13-të, pikërisht Flamurtari-Studenti. Edhe skuadra vlonjate ka shansin të afrohet me kryesueset, sepse është favorite në këtë takim dhe mund të bëjë diferencën e nevojshme për të qenë sa më parë skuadrave rivale në këtë rrugëtim drejt titullit.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 13-të
Të premten, 22 shkurt 2019:
Sh.B.F. Tirana – Elbasani 96-66
Sh.K.B.Tirana – Vllaznia 83-63
Të shtunën, 23 shkurt 2019:
Flamurtari – Studenti ora 11:00
Pallati i Sportit “Flamurtari”, Vlorë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Sh.K.B.F. Tirana 13 11 2 24
- Sh.B.F. Tirana 13 10 3 23
- Flamurtari 12 8 4 20
- Vllaznia 13 7 6 20
- Studenti 12 2 10 14
- Elbasani 13 0 13 13