AlbanianSport.com 04.05.2017 16:10
ASNN – Edhe basketbollistja serbe, Marjana Çorto, pranon se të enjten Flamurtari do të kërkojë titullin “kampion”, ndërsa i ka bërë thirrje publikut për të mbushur shkallët e Pallatit të Sportit. E nëse ndodh kështu, për Çorton do të jetë trofeu i dytë me skuadrën vlonjate, ndërsa ka qenë pjesë e këtij ekipi dhe dy vjet më parë.
“E kam fituar titullin “kampion” me Flamurtarin dhe dy sezone më parë dhe ishte një moment i rëndësishëm për mua, – ka deklaruar ajo në prag të sfidës së 4-t finale. – Ndaj kërkoj ta fitoj përsëri. Ne shpresojmë që të zhvillojmë një ndeshje më të mirë se sa ajo e fundit në Tiranë, që në fakt duhet ta kishim fituar.”
“Por kemi humbur vetëm për gabimet tona në fund, – ka vijuar serbja. – Shpresoj që së bashku me pjesën tjetër të ekipit t’i dhurojmë një tjetër titull, ndërsa shpresojmë në një Pallat Sporti të tejmbushur për të na përkrahur gjatë gjithë takimit dhe më pas të festojmë të gjithë së bashku.”
Kështu, Flamurtari ka shansin për ta mbyllur çështjen e titullit që sonte në Vlorë, ndërsa Tirana do të bëjë gjithçka për ta çuar fatin e kësaj finaleje në ndeshjen e 5-të, që është programuar të luhet të dielën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.