Gjergj Vyshka 23.11.2016 12:35
Federata Evropiane e Basketbollit ka caktuar tashmë gjyqtarët e ndeshjes Shqipëri-Britani e Madhe, e cila do të zhvillohet sot në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. I parë do të jetë turku Ozlem Jalman, e dytë boshnjakia Mila Kavara dhe e tretë serbja Jelena Smiljaniç, kurse vëzhgues maqedonasi Antonio Ugrinov.
Ndërkaq, britaniket kanë mbërritur që të hënën në Tiranë, ndërsa janë akomoduar në Hotel “Europa Park” ose ndryshe “Rogner”. Të hënën pasdite, të martën pasdite dhe të mërkurën në mëngjes ata kanë bërë stërvitje, ndërsa tashmë janë gati për sfidën me Shqipërinë. Më 20 shkurt të këtij viti, Britania e Madhe na ka mundur 122-36.
Ndeshja Shqipëri-Britani e Madhe, ashtu sikurse ajo e së shtunës me Malin e Zi, do të vijë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar në një transmetim direkt nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Gjithnjë nën komentin e Henri Mojës dhe të specialistit të basketbollit shqiptar, Artan Kuqo.