AlbanianSport.com 27/09/2018 18:20
ASNN – Kampionati Botëror i Basketbollit për Femra, që po zhvillohet në Tenerife të Spanjës dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka përcaktuar të mërkurën në mbëmje 4 çiftet çerekfinaliste.
Me ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, të luajtura të mërkurën, Kampionati Botëror i Basketbollit për Femra, që po zhvillohet në Tenerife të Spanjës dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka përcaktuar edhe 4 çiftet çerekfinaliste.
Do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Kina, Spanja, Franca, Belgjika, Kanadaja dhe Nigeria skuadra që do të vazhdojnë më tej betejën për fituar të dielën e 30 shtatorit trofeun e çmuar botëror.
Në bazë të formulës së miratuar paraprakisht, çerekfinalet, që do të luhen të gjitha të premten, do të vënë në çiftin e parë kampionet në fuqi të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballë Nigerisë, në takimin që nis në ora 12:30.
Ndërkaq, në ora 15:00 nis dueli tjetër çerekfinal, ai midis Australisë dhe Kinës, ndërsa dueli i 3-të, ai që nis në ora 18:30, është një derbi evropianë fqinjësh, pasi Belgjika do të përballet me Francën.
Çerekfinalet do të mbyllet të premten në mbrëmje me duelin e darkës, atë që nis në ora 21:00, midis Kanadasë dhe Spanjës. Ndërkaq, të shtunën do të zhvillohen fillimisht ndeshjet për vendet nga ai i 5-ti tek i 8-ti, të ndjekura nga dy duelet gjysmëfinale.
Kurse të dielën do të mbyllen fillimisht ndeshjet e fundit për renditjen nga vendi i 5-të, deri tek ai i 8-ti, e më pas do të luhet duelin për vendin e 3-të dhe të 4-t, duke kulmuar në mbrëmje me finalen e madhe, ku do të kurorëzohet edhe kampionia e re e botës.