AlbanianSport.com 23/01/2024 22:30
ASNN – Në duelin e luajtur në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi mbizotëroi plotësisht ndaj Flamurtarit të Vlorës. Kampionia e Kosovës i dha fund çështjes së fitueses së takimit që pas dy 10-minutëshve të parë, pasi në pushimin e madh midis dy gjysmave shkoi me një epërsi prej 31 pikësh, 54-23.
Vetëm në dy 10-minutëshat e fundit, Flamurtari ishte kundërshtar më i barabartë, pasi trajneri i Bashkimit, Viktor Kovaq, e shfrytëzoi epërsinë për të aktivizuar në lojë të gjitha lojtaret. Qendra Adrienë Gadbolld ishte më e dalluara te Bashkimi, me 26 pikë e 12 topa në tabelë. Lojë të mirë bëri edhe Arbnore Përquku, me 16 pikë, 9 topa në tabelë dhe 8 pasime për kosh dhe Sarah Mgbajki, me 15 pikë.
Ndërkaq, tek Flamurtari, më e dalluara ishte Asia Henderson me shifra të dyfishta (“double-double”) prej 13 pikësh e 14 topash të zotëruar në tabelë. Ndeshja e fundit e javës së parë të Ligës Unike te basketbollistet do të zhvillohet të mërkurën, duke nisur nga ora 17:00, aty ku skuadra e Penzës do të jetë mysafire e Tiranës.