Gjergj Vyshka 22.03.2016 10:05
Arben Fagu, kandidati për president i Federatës Shqiptare të Basketbollit në asamblenë e 30 marsit, dje ka qenë i pranishëm në emisionin e Radio-Televizionit Shqiptar “E hëna Sportive”, të drejtuar nga gazetari Eno Skarço. Ashtu sikurse të dielën në mbrëmje ka qenë edhe tek “Procesi Sportiv” i “Top-Channel”-it. Fagu, që ka qenë i shoqëruar nga kandidati për anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Pjerin Bushati, por dhe lojtari i Tiranës, Red Vogli, ka këmbëngulur dhe një herë për kontributin e të gjithëve për kthimin e kësaj loje si një herë e në një kohë.
“Unë nuk do të kisha dëshirë të përballesha me askënd, – ka deklaruar kandidati për kreun e FSHB-së. – Por kur vjen për të diskutuar për basketbollin jam i gatshëm të debatojë me gjithkënd. Ne jemi të ndërgjegjshëm që basketbolli është në një gjendje që ka nevojë për ndryshime. Pas afro dhjetë vjetësh të presidentit Ponari, basketbolli duhet të ndryshojë për të mirën e tij. Dhe për ta kthyer në atë sport popullor në vendin tonë, apo dhe në arenën ndërkombëtare, duhet të ecim në nivelin e të tjerëve. Pse jo të marrim nga vendet fqinje.”
“Dhe që ta ndryshojmë na duhet kontributi i të gjithëve, sportistëve dhe trajnerëve, biznesit, por dhe mediat”, – shtoi Fagu, i cili në ëndrrën e tij e ka që kampionati i basketbollit të ketë një sponsor të përgjithshëm, ashtu sikurse dhe kombëtarja. “Në qendër të programit, që unë e kam këshilluar me shumë miq e shokë, do të jetë masivizimit, marketingu, infrastruktura, por dhe propaganda nëpërmjet medias, – ka theksuar ish-basketbollisti dhe ish-trajneri. – Basketbolli nuk ndryshohet me një ditë, por duhet të kemi projekte të qarta pse jo katërvjeçare, por dhe më tej.”
“Një bashkëpunim jo vetëm me qeverinë qendrore dhe pushtetin lokal, por dhe Federatën Botërore të Basketbollit, apo vendet fqinje, të cilat do të mund të na ndihmojnë në kualifikimin e trajnerëve dhe gjyqtarëve, apo dhe në bazë materiale”, – ka shtuar ai. Për Fagun, sot Federata Shqiptare e Basketbollit nuk ka një transparencë financiare. “Qoftë për atë që ka dhënë presidenti Ponari, askush nuk di asgjë, – pretendon kandidati për president. – Dhe nëse do të duhet ta vazhdojë kontributin e tij ai është i mirëpritur të vazhdojë të kontribuojë në basketbollin shqiptar.”
“Por do të ishte ëndrra e jonë që ta kthenim basketbollin ashtu siç ishte në vitet 70-80”, – thotë Fagu, i cili ka deklaruar se kontributi i shoqatave vjen duke u rritur në Federatën Shqiptare të Basketbollit, teksa thotë: “Ne jemi për t’i ndihmuar ato dhe jo t’i rrënojmë financiarisht, sepse prej tyre vijnë dhe lojtarët e së ardhmes”. Për Bushatin duhet të ketë më shumë masivitet. “Duhet të ndryshojmë mendimin dhe të ecim përpara në basketbollin shqiptar, – thotë ai. – Të kemi një program 3-4 vjeçar dhe të punohet më shumë me moshat.”
“Të ketë më shumë popullaritet dhe të ketë kampionat të rinjsh. Pra duhet të kemi idenë se çfarë duhet të bëjmë”, – ka përfunduar Bushati.