Gjergj Vyshka 23.06.2015 10:15
Një ndër tre shoqatat më të reja anëtare të basketbollit shqiptar, që u pranua si anëtare e Federatës në mbledhjen e fundit të kryesisë më 19 qershor, ishte dhe ajo që mban emrin e një prej basketbollistëve më të shquar të qytetit bregdetar të Durrësit. Bëhet fjalë për shoqatën “Dhimitra Goga”, e cila dje, nëpërmjet një “e-mail”-i shpërndarë të gjithë anëtarëve të Federatës Shqiptare të Basketbollit, ka falënderuar kryesinë e Federatës Shqiptare të Basketbollit, si dhe ka ofruar bashkëpunim në emër të zhvillimit cilësor të sportit të koshit.
Kjo shoqatë, me kryetar Perikli Goga, si dhe grupin nismëtar e themelues të shoqatës të përbërë nga Nustret Reka, Adi Veliu, Besnik Çela, Lavdosh Alia, Emiljan Jani, Ylli Ballanca, Sabri Rustemi e Zhani Noti, në “e-mail”-in e saj ka shkruajtur: “Shoqata e basketbollit “Dhimitraq Goga” e priti me gëzim pranimin e saj në gjirin tuaj si anëtare e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Në emër të grupit themelues të kësaj shoqate dhe përkatësisht Nusret Rekës, Adi Veliut, Besnik Çelës, Lavdosh Aliat, Emiljan Janit, Ylli Ballancës, Sabri Rustemit e Zhani Notit, ju falënderojmë dhe ju premtojmë që tek ne do të gjeni një partner dhe konkurent dinjitoz e të ndershëm.”
“Duke shpresuar në bashkëpunimin me ju dhe veçanërisht me stafin drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit ju urojmë pushime të mbara verore dhe punë të mbarë në përgatitjen e sezonit të ardhshëm”, – përfundon “e-mail”-i në fjalë. Ndërkohë anëtare të reja të Federatës Shqiptare të Basketbollit janë bërë dhe shoqata “Tirana Eagles Basket” dhe “Galaktikët”. Sakaq të gjitha kombëtaret e basketbollit, paçka se ka pasur vështirësi për gjetjen e terreneve stërvitore, sepse pallatit e sportit dhe palestrat e shkollave janë kthyer në qendra të numërimit të votimeve, vazhdojnë përgatitjet e tyre për të marrë pjesë në Kampionatet Evropiane të moshave. Dhe të parët e nisin Nën-16-vjeçarët djem në Divizionin C, nga data 6, deri më 11 korrik 2015, në San Marino.