Gjergj Vyshka 24.01.2016 08:40
Kroati: “Jam i kënaqur me ditën e parë të veprimtarisë, por është e mira që të ketë më shumë takime mes gjyqtarëve dhe trajnerëve për të mirën e kampionatit shqiptar”. Davorin Nakiç, shefi i departamentit të gjyqtarëve në Federatën Evropiane të Basketbollit, dje në mesditë ka nisur seminarin e tij me trajnerët dhe gjyqtarët shqiptar. Teoria është zhvilluar në mjediset e Hotel “Doro City” në Tiranë, kurse praktika në Universitetin e Sporteve, po në kryeqytet.
Pa harruar që të gjithë së bashku dje pasdite kanë qenë të pranishëm në sallën sportive “Farie Hoti”, atje ku Tirana në basketboll për meshkuj ka zhvilluar një miqësore me Teutën. Kanë qenë të pranishëm mbi 40 veta, ndërsa binte në sy prania e gjyqtarëve ndërkombëtar Gentian Cici, Ervin Koçi dhe Erjon Hoxhaj. Por të gjyqtarëve të tjerë si Gilbert Hoxha, Elvis Allaraj, Adrian Dulçe, Gid Shaqiri, Olt Kasmi, Hans Trajer, Gledis Basho, Jetmir Gokaj, etj.
Pa thënë të trajnerëve Erdal Borova, Vladimir Xheka, Arjan Kristani dhe të rinjve, të cilët duket se kanë qenë më të interesuar për të marrë informacionet e duhura nga Nakiçi. Në programin e trajnimit janë trajtuar jo vetëm temat e rolit të mbrojtjes së gjyqtarit, marrëdhëniet trajner-gjyqtar, apo dhe të tjera si këto. Dhe seminari, që përfundon sot, ka qenë jo vetëm në formën e detyrave praktike, por dhe të bashkëbisedimeve, ndërsa në qendër të vëmendjes është vendosur dhe roli i komisarëve në ndeshje si pjesë e trupës së arbitrave.
Në ceremoninë e hapjes ka përshëndetur Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, që së bashku me anëtarin e kryesisë Bashkim Milo, por dhe Arben Kaçurrin, i cili është vëzhgues në ndeshjet e kampionatit shqiptar, kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në këtë seminar, në gatishmëri për gjithçka që kërkonte Nakiçi. Pa harruar këtu dhe kontributin e inspektorit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Andi Koçi, apo dhe sekretarja Denisa Bishqemi. Të gjithë së bashku kanë bërë të mundur realizimin e kësaj klinike me Nakiç, që në fund ka mbetur i kënaqur.