AlbanianSport.com 18.08.2015 17:40
ASNN – Dardan Berisha kishte mbetur i zhgënjyer kur nuk ishte ftuar nga Përfaqësuesja e Polonisë për të luajtur në “Eurobasket 2013”, edhe pse ishte pjesë e ekipit gjatë eliminatoreve në vitin 2012.
Edhe pse i zhgënjyer, Berisha kishte arritur të motivonte veten që të punonte edhe më shumë dhe tashmë është i lumtur që është kthyer te Polonia, ndonëse ende nuk është publikuar lista përfundimtare e basketbollistëve që do të jenë pjesë e ekipit për “Eurobasket 2015”.
Këtë dëshpërim Berisha e ka zbuluar të hënën, në një intervistë të dhënë për faqen sportive polake “rzegladSportowy.pl”. Muajin e shkuar, 26-vjeçari Berisha i është bashkuar Polonisë në ekipin e zgjeruar në përgatitje për “Eurobasket 2015”.
Lista përfundimtare, pritet të publikohet gjatë kësaj jave, kurse Berisha është optimist se do të jetë pjesë e Polonisë. “Luajta në eliminatoret gjatë vitit 2012, por në Eurobasketin e mbajtur vitin tjetër në Slloveni nuk u ftova”, – ka rrëfyer ai për faqen sportive në fjalë.
“Askush nuk më dha asnjë shpjegim, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, – ka vijuar Berisha. – Isha shumë i dëshpëruar, por njëkohësisht u motivova për të punuar edhe më shumë.”
Basketbollisti kosovar asnjëherë nuk e ka fshehur patriotizmin e tij, duke mos pranuar të luajë ndaj Shqipërisë para disa vitesh, si në Poloni, ashtu edhe në Tiranë, si dhe duke premtuar të luajë për Kosovën pasi ta mbyllë me Poloninë.