Gjergj Vyshka 11.06.2016 11:35
Gjyqtari Gentian Cici do të jetë në turin preolimpik në Francë. Bëhet fjalë për një nga grupet e femrave, atje ku do të caktohen finalistet e Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Janë 40 gjyqtarë nga e gjithë bota për turneun parolimpik dhe për Lojërat Olimpike e mes tyre dhe Cici, i cili në Francë do të jetë edhe si tifoz futbollit.
Fillimisht për Shqipërinë e më pas dhe për Gjermaninë. Ndërkohë problemet e gjykimit, ardhja e të huajve në finalen e pestë të femrave për titull kampion, Flamurtari-Goga Basket, apo dhe ideja që një gjyqtar nuk duhet të gjykojë 4-5 herë një skuadër gjatë sezoni janë në fokusin e tij.
Sepse në intervistën e tij për Sport Ekspres ka folur dhe si i pari i shoqatës së gjyqtarëve të basketbollit. Ja çfarë ka thënë Cici për “Sport Ekspres”, në një intervistë që AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta, nesër.
…Vijon nga dje
– Le të kthehemi pak tek problemet e gjykimit në Shqipëri. Diku të kërcënuar, diku të kapur për fyti e të lidhur me litarin e bilbilit. Kush e bën dhe nga kush vjen ky presion kaq i madh ndaj jush?
– Unë mendoj qe vetë profesioni që kemi zgjedhur e bën punën tonë mjaftë të vështirë. Natyrisht presioni vjen nga vetë klubet, apo shoqatat. Dhe të them të vërtetën më vjen keq që kemi pasur disa incidente këtë sezon. Për mendimin tim ishte një sezon ku patëm goxha rritje në nivelin e arbitrimit, sidomos nga gjyqtarët e rinj.
– Në finalen e pestë për titull kampion të femrave Flamurtari-Goga Basket tre gjyqtarë malazez, do të thotë që ju jeni të paaftë për të gjykuar të tilla finale, apo ju kanë paragjykuar?
– Të them të drejtën u habita pak nga zgjedhja e presidentit Ponari. Mirëpo, nga njohja e vjetër që kam me të, mendoj se është një person mjaft i vetëdijshëm dhe di se ç’bën. Natyrisht që nuk është problem një ndeshje e tillë, por ishte thjeshtë paragjykim për ne. Megjithëse atë ditë në Vlorë morëm një përgjigje shumë të mirë nga shumë persona. Sepse nëse do të kisha qenë unë, apo dikush tjetër në fushë, do të ishte bërë nami. Por çuditërisht me të huajt gjithçka ishte “OK”. Mendoj që më mirë kështu, sepse koha do të tregoj shumë shpejt nëse është bërë mirë, apo keq.
– Çdo të kërkoni për sezonin e ri për të qenë më të pavarur dhe më solid në vendimet e juaja?
– Atë që kemi kërkuar gjithmonë, pavarësi dhe korrektësi. Sezoni i ardhshëm do të ketë mjaft ndryshime, por nuk dua të flas për momentin për këtë temë.
– Jo rrallëherë është parë që një gjyqtar gjykon mbi katër-pesë herë një skuadër, a duhet ndryshuar kjo formulë që edhe ju të mos paragjykohemi për të mos iu thënë më pas jeni të njëanshëm?
– Mendoj që po. Mirë do të ishte që një gjyqtar të mos gjykojë një ekip 4-5 herë rresht pasi natyrisht do të kishte paragjykime. Për këtë po punojmë, por për momentin është pak e vështirë pasi duhet kohë.