AlbanianSport.com 08.01.2017 18:55
ASNN – Basketbollisti amerikan, Reshoun Broudus, i natyralizuar si kuqezi gjatë 2016-ës, përpara Eliminatoreve të Kampionatit Evropian, ka lënë kampionatin lituanez për një aventurë tjetër për 2017-ën. Skuadra e re e 32-vjeçarit do të jetë në Rasta Vekta në Bundesligën gjermane të koshit.
Ky lajm është konfirmuar në faqen zyrtare të klubit e shoqëruar edhe me foton e lojtarit. Ndërsa në kampionatin vendës, Rasta Vekta është përfshirë në një krizë rezultatesh, me afrimin e Broudusit është shtuar tashmë entuziazmi te klubi gjerman. Dhe këtë e konfirmon trajneri i skuadrës Andreas Vagner. “E dinim që s’do ta kishim të lehtë në këtë fazë të sezonit të gjenim lojtarin e duhur për këtë pozicion të rëndësishëm”, – tha ai.
Në sezonin 2012-2013, Vehta u shpall kampione në Ligën Pro A, duke u ngjitur kështu në Bundesligë. Megjithatë qëndrimi në ligën elitare zgjati vetëm një vit dhe skuadra ra nga kategoria në sezonin 2013-2014 duke e mbyllur në vend të fundit për t’u rikthyer në 2015-2016. Broadus, i lindur më 5 gusht 1984 në bregun perëndimor të SHBA, në Siatëll është 1.80 metra i gjatë.
Përpara kalimit në Bundesligë, organizatori i përfaqësueses shqiptare është aktivizuar me gjigandët lituanezë të Lietuvos Rytas (Vilnius), ku regjistroi një mesatare prej 7.3 pikë dhe 3.2 pasimesh për kosh. Vitin e kaluar Broadus mori nënshtetësinë shqiptare. Në Eliminatarotet e fundit, ato të Evropianit 2017 ai udhëhoqi kombëtaren e drejtuar nga trajneri qipriot, Antonis Konstandinides, me një mesatare 19.8 pikësh.
Në total, ai do të shënonte 99 pikë, ndërsa u aktivizua në 178 minuta lojë. I dyti do të renditej qendra Endrit Hysenagolli me 73 pikë. Në ndeshjen e fundit në grupin F më 17 shtator 2016, kundër Sllovakisë e mbyllur me fitoren e Shqipërisë 72-65, Broadus kontribuoi me 17 pikë. Por më tepër sesa pikët, ishte qetësia dhe përvoja ajo që ai i ofroi më shumë skuadrës.