Gjergj Vyshka 21.08.2016 19:25
Nëse nuk do të ishte e vonuar për të hyrë në lojën e vet, Shqipëria e basketbollit të meshkujve i ka pasur të gjitha mundësitë për të fituar ndaj Estonisë, në këtë takim të dytë të turneut miqësor qipriot.
Të paktën kështu ka pohuar për gazetën “Sport Ekspres”, ndihmëstrajneri i kuqezinjve, Afrim Bilali: “Absolutisht që ka qenë një tjetër pamje, një tjetër dëshirë në krahasim me ndeshjen ndaj Qipros”.
“U luajt sipas porosive të trajnerit Konstantinides, ndërsa pjesa e parë ishte ajo që na penalizoi, – vijoi ish-basketbollisti. – E keqja është sepse u futën në fushën e lojës me idenë e një Estonie skuadër e madhe.”
“Por kur e panë që mund të fitonin luajtën shumë mirë si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm, – theksoi Bilali. – Sikur të kishte dhe pesë minuta lojë të jeni të sigurtë që do ta fitonim ndeshjen.”
“E theksoj dhe një herë që na penalizoi pjesa e parë, sepse e nisëm shumë keq ndeshjen. Por pastaj u futëm në lojën tonë”, – ka përfunduar ndihmëstrajneri i kuqezinjve, Afrim Bilali.
Ndërkohë sot do të jetë miqësorja e fundit ndaj Katarit. “Katari është skuadër shumë e mirë, pavarësisht rezultateve që ka pasur, – ka thënë krahu i djathtë i Konstandinidesit. – Ne sigurisht që do të hymë në fushën e lojës për fitore”.