AlbanianSport.com 22/08/2019 18:45
ASNN – Trajneri Afrim Bilali dhe kapiteni Gerti Shima analizojnë pjesëmarrjen në paraeliminatore. Shqipëria ka flirtuar me fitoren në ndeshje e fundit në kuadër të grupit B të Paraeliminatoreve të Evropianit 2021 të basketbollit për meshkuj, por ka vijuar të mundet me shifrat 57-68. Si për trajnerin e Kombëtares, Afrim Bilali, ashtu edhe për kapitenin kuqezi, Gerti Shima, ky ishte një shans i shkuar dëm për fitore.
Për Bilalin më e rëndësishme se rezultatet, ishte përvoja e fituar, sidomos nga lojtarët e rinj. Kurse për Shimën, lipset një analizë e gjerë. Trajneri kuqezi ka vënë gjithashtu theksin tek nevoja e ndërrimit të brezave në Kombëtare. Por, për Bilalin, puna e Kombëtares nis me klubet dhe me punën e vazhdueshme të lojtarëve.
Ndeshja e luajtur të mërkurën përballë Danimarkës, e zhvilluar Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.