Gjergj Vyshka 13.10.2015 14:20
Sonte në mbrëmje, në Prizren, me ndeshjen mes Bashkimit vendës dhe Pejës çel siparin Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj, që tashmë ka marrë emrin e kompanisë “SIGAL Uniqa”. Pikërisht në këtë ndeshje do të jenë dhe dy personazhe të koshit shqiptar. Së pari, gjyqtari ndërkombëtar Ervin Koçi, i cili do të gjykojë së bashku edhe me boshnjakun Ademir Zuparoviç, si dhe boshnjakun tjetër Ivan Miliçeviç.
Ndërkohë komisar i ndeshjes do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i cili është vëzhgues ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë në ditën e parë të kësaj veprimtarie, si për grupin A, ashtu dhe grupin B, do të luhen përkatësisht takimet Kozuv-Mornar (të mërkurën, ora 19:00), Beroe-SIGAL Prishtina (të enjten, ora 18:00) dhe Lovcen Basket-Teodo (të mërkurën, ora 18:00).
Ajo që duhet theksuar është se Shqipëria, ndryshe nga viti i kaluar kur u përfaqësua me Vllazninë, e cila është kampione në fuqi e basketbollit të meshkujve, sivjet nuk ka asnjë skuadër. Edhe pse Federata Shqiptare e Basketbollit pat shpërndarë kërkesat, ndërsa shpresonte që të ishte me dy skuadra sivjet, një gjë e tillë nuk ndodhi. E kjo sa për arsye financiare, aq edhe për nivelin jo të lartë për t’iu përgjigjur Ligës Ballkanike.
Sidoqoftë, duke qenë se Liga Ballkanike tashmë ka emërtimin “SIGAL Uniqa”, atëherë shpresohet që me praninë e presidentit të kësaj kompanie të mirënjohur ndërkombëtare të sigurimeve, por, njëkohësisht, edhe presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, vitin e ardhshëm të jenë dy skuadra.