AlbanianSport.com 03/08/2018 12:55
ASNN – Kampionia në fuqi Kosovës në basketboll për meshkuj, Bashkimi, do të jetë pjesë e Ligës Ballkanike (BIBL) për vitin e katërt rresht. Ekipi nga Prizreni e ka konfirmuar të enjten pjesëmarrjen në këtë veprimtari, ku sezonin e fundit u ndal në finale nga Levski i Sofjes.
Në faqen zyrtare të BIBL-së në Internet është përshëndetur vendimi i skuadrës kosovare. Hëpërhë, pjesë e kësaj veprimtarie rajonale, edicionin e ri do të jenë edhe tri klube shqiptare: Shkupi, Teuta dhe Tirana. Më herët në këtë Ligë kanë marrë pjesë edhe Prishtina, Peja dhe Trepça.
Prishtina e ka fituar dy herë Ligën Ballkanike. Si kampion, Bashkimi ka pasur mundësinë të paraqitet edhe në dy veprimtarite evropiane të klubeve, Ligën e Kampionëve apo edhe në FIBA Europe Cup në basketboll për meshkuj, por financat e dobëta nuk e kanë lejuar.