Gjergj Vyshka 18.09.2015 19:00
Sezoni i ri i basketbollit ka dhe absurditetet e veta. Nëse për meshkuj në Kategorinë e Parë dihej që do të mungonte Apolonia dhe Studenti, për femra pas Përmetit është tërhequr dhe Apolonia. E kjo jo më për faj të fierakeve, por se kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i zgjedhur më 21 qershor 2015, duket se ka halle të tjera më të mëdha për të zgjidhur përpara sportit.
Madje edhe Pallati i Sportit i ngritur si infrastrukturë, por jo i papërfunduar, në një marrëveshje bashkëpunimi mes ish-kryetarit Baftjar Zeqo dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit ka mbetur i parealizuar. Dhe duket se kështu ka për të mbetur, sepse sipas informacionit që vjen nga Federata Shqiptare e Basketbollit kryebashkiaku Subashi pak ka interes për t’i dhënë jetë këtij kompleksi sportiv të nisur që më 2012-tën.
E Fieri sot, një qytet sportdashës që ka pasur jo vetëm futbollin, por dhe basketbollin, volejbollin, çiklizmin, peshëngritjen, mundjen, rrezikon të mbesë pa asgjë. Sepse përpara sportit kryebashkiaku Subashi ka kërkuar të zgjedhë problemet që shqetësojnë qytetarët. Dhe në këto kushte, basketbolli, që po i humbet skuadrat një e nga një, rrezikon të luajë përsëri me infrastrukturë më shumë se sa të cunguar.