AlbanianSport.com 12/02/2019 18:00
ASNN – Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Presidenti i Republikës vlerësoi me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pjesëtarët e ekipit të Partizanit në basketboll për meshkuj, të vitit 1968, të cilët u përballën në Kupën e Kampioneve me skuadrën italiane të Oransodës.
Në këtë ceremoni vlerësimi duhej të ishte dhe një basketbollist që ka qenë protagonist në të dy takimet ndaj Oransodës, lojtari më i gjatë i basketbollit të atyre viteve, Agim Lahi, 195 centimetër i lartë. Edhe pse ai u ftua si ndihmë nga Vllaznia e asaj kohe, Lahi ka kontributin e tij në atë takim dhe e meritonte këtë vlerësim.
Sidoqoftë, përtej kësaj, gazeta “SOT” intervistoi Lahin. Në këtë intervistë Lahi tregon për emocionet, sukseset dhe privilegjet që të ofronte basketbolli i kohës. AlbanianSport.com po t’jua sjellë këtë intervistë të plotë në 3 pjesë në 3 ditët në vijim, duke nisur që nga e hëna.
…vijon nga dje
– Si ka qenë trajtimi i sportistëve në ato vite?
– Të gjithë sportistët ishin të njohur dhe të dashur për publikun. I mirëprisnin dhe i respektonin. Opinioni i tyre ishte mjaft i mirë, veçanërisht për basketbollistët. Mund të them se ishim të privilegjuar, jo nga ana materiale, por shoqërore. Në përfundim të studimeve në vitin 1966 u emërova inxhinier në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe më vonë në zyrën e projektimit pranë Komitetit Ekzekutiv Shkodër. Jam aktivizuar me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës, duke fituar një kampionat dhe një kupë republike. Ekipi shkodran kishte lojtarë cilësorë si R. Radoja, L. Shatku, F. Guraziu, S. Osmani, P. Osmani, Z. Çoba, A. Gjyrezi etj. Në Shkodër kam qenë i respektuar. Në vitin 1969 jam emëruar si pedagog në UT të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Në këtë periudhë jam aktivizuar me ekipin e Studentit dhe kam nostalgji për harmoninë dhe kënaqësinë e aktivizimit me lojtarë si Niko Profkola dhe Gjergj Ikonomi.
– Ju thatë që krijohej atmosferë mes tifozëve, por ishte një tifozeri ndryshe nga ultrasit e sotëm, apo jo?
– Ka pasur një tifozeri të zjarrtë që e ndiqte ekipin me shumë emocion. Madje na respektonin edhe tifozët kundërshtarë. Ata nuk të lavdëronin, sepse secili dëshiron të fitojë ekipi i vet, por nuk kishte përplasje. Sidomos në Tiranë tifozët e ndiqnin ndeshjen së bashku, nuk ishin të ndarë, dhe bënin tifo sipas preferencave. Komunikimi me tifozët ka qenë mjaft i mirë, na ndalonin në rrugë, na jepnin kurajë. Por kishte dhe raste kur tifozët na ndalonin dhe na shprehnin “indinjatën” e tyre për nivelin tonë jo të mirë, siç ndodhi gjatë vitit 1964. “Jeni bërë që s’shiheni më me sy”, më tha një tifoz. I thashë që skuadra jo gjithmonë fiton, secili ekip ka kurbën e tij. Por ai na donte të fitonim përherë me nga 20 pikë ndaj rivalëve.
– Cili është kulminacioni i karrierës tuaj?
– Ka pasur disa pika kulmore. Njëra ishte finalja e kupës së kampionatit midis Tiranës dhe Vllaznisë, në vitin 1965, ku fitoi Tirana me 11 pikë. Pika të tjera kulmore kanë qenë Festivali i Helsinkit, në vitin 1962, ku zumë vendin e parë, por edhe Ballkaniada (1965), apo dy duelet me Oransodën (1968-1969).
– Si paraqitej stërvitja, teknika dhe taktika e lojës së atyre viteve?
– Tirana bënte shumë stërvitje, sepse Feti Borova, ky personalitet i basketbollit shqiptar, njeriu që më ka ndihmuar shumë, i jepte rëndësi të madhe përgatitjes. Çdo ditë bënim minimalisht 2 orë stërvitje, por kur përgatiteshim për Ballkaniadën jemi stërvitur edhe 5 orë në ditë.
Vijon nesër…