Gjergj Vyshka 14.08.2016 12:15
Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, nuk ka pushuar qoftë dhe një ditë të vetme në Divizionin B të Kampionatit Evropian të Nën-16-vjeçareve për vajza. Vetëm atëherë kur pauzat kanë qenë të parashikuara në kalendar.
7 ditë në 7 ndeshje për Cicin, që dje ka qenë i parë në ndeshjen e vlefshme për vendet nga i 17-ti, deri në të 20-ën, Austri-Islandë që është mbyllur me rezultatin 46-58 (18-24, 14-10, 7-14, 7-10).
Në këtë ndeshje Cici ka pasur për ndihmës qipriotin Aristotelis Haxhisolomu dhe bullgarin Borisllav Peltekov, kurse vëzhgues bjellorusin Henrik Bekiç. Këtë verë, gjyqtari shqiptar ka qenë i angazhuar në dy Kampionate Evropiane moshash.
Bëhet fjalë për atë të Nën-20-vjeçarëve djem dhe Nën-16-vjeçareve vajza, ku Cici numëron gjithsej 14 ndeshje. Po aq sa dhe Erjon Hoxhaj, që ka qenë tek Evropiania i Nën-20-vjeçareve vajza dhe Nën-18-vjeçaret po vajza.
Ndërsa Ervin Koçi ka gjykuar 5 ndeshje në Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçarëve djem. Një vlerësim maksimal ky i ndërkombëtarëve të koshit për të 3 gjyqtarët shqiptarë të basketbollit.