Gjergj Vyshka 16.06.2016 13:10
Nën drejtimin e Valbona Sakos, Kombëtarja e Nën-16-vjeçareve në basketboll për femra, ka nisur dje fazën e përzgjedhjes në kuadrin e pjesëmarrjes në Divizionin B të Kampionatit Evropian.
Siç dihet kjo kombëtare do të marrë pjesë në Oradea të Rumanisë, ku, nga data 5, deri më 14 gusht 2016, në grupin B, vajzat kuqezi do të jenë përballë Danimarkës, Ukrainës, Greqisë, Luksemburgut dhe Islandës.
Të gjitha vajzat kanë ardhur me certifikata, pasaporta dhe fotografi, gjë që kërkohet nga Federata Shqiptare e Basketbollit, sepse menjëherë brenda afate të caktuara nga Federata Evropiane do të bëhet dhe regjistrimi i listës prej 24 lojtaresh.
Dhe tashmë pritet që Sako së bashku me Federatën Shqiptare të Basketbollit të caktojë dhe programin e mëtejshëm deri në grumbullimin final për një përgatitje të mirë në këtë pjesëmarrje të dytë në Divizionin B të Kampionatit Evropian të Nën-16-vjeçareve në basketboll për femra.