ASNN – Sulmuesi “vrasës” është një term i përdorur zakonisht për lojtarë si Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Kun Aguero apo Nejmar. Por kohët kanë ndryshuar dhe aktualisht sulmuesi “vrasës” në Evropë është holandez, 25 vjeç dhe luan per Volfsburgun. Po flasim per Bas Dostin, futbollisti kuotat e të cilit ishin zero deri dy muaj më parë.
Ish-lojtari i Herenvenit ishte mësuar të shihte nga stoli veteranin Ivica Oliç dhe danezin me imazh të konsoliduar në Londër, Niklas Bendtner. Kjo është një mënyrë për të shpjeguar mungesën e golave në pjesën e parë të Bundesligës. Fati i “tulipanit” u kthye si me dorë, kur në ndërrimin e viteve, kroati Oliç transferohet te Hamburgu dhe Dosti bëhet zgjedhja e parë në sulmin e “ujqërve”.
Trajneri Diter Heking i beson lojtarit që deri dje qëndronte në stol dhe ai ia shpërblen me 11 gola në 6 ndeshje, 4 më shumë se Arjen Robeni dhe 5 më shumë se Lionel Mesi. Transformimi total tregon për 12 gola në 9 ndeshje. Nëse përfshijmë edhe Ligën e Evropës, atëherë do të gjejme 14 gola ne 10 ndeshje. Kjo është mesatarja më e mirë ndër kampionatet më të rëndësishme nëse do të llogarisim minutat për çdo gol të shënuar.
Kështu Dosti shënon për çdo 62.9 minuta te luajtura. Pas tij vjen portugezi Ronaldo, që për Realin e Madridit shënon gol për çdo 65.3 minuta të luajtura. Mesi shënon gol çdo 81.6 minuta, duke lënë prapa Sisenë që për Njukasëllin e gjen rrugën e rrjetës çdo 84 minuta. Ndërsa në fund vjen ish-dhëndri i Maradonës, Aguero, i cili e gjen golin në çdo 91.9 minuta.