AlbanianSport.com 01/12/2018 18:20
ASNN – I pari që ka zbritur në parket të shtunën në kuadër të fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, ka qënë Grupi B, ndeshjet e të cilit po luhen në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, në kryeqytet. Në fakt, dy ndeshjet e këtij grupi janë luajtur dy orë me herët se ç’ishte njoftuar fillimisht, sepse aty do të luhen edhe derbi i kryeqytetit në basketboll për meshkuj, midis Tiranës dhe Partizanit, i cili gjithashtu u shty me një orë, për t’i krijuar hapësirë volejbollit.
Kështu, Barleti Volej mposhti në 4 sete Tiranën në takimin e dytë të ditës së dytë të eliminatoreve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, duke marrë kreun e Grupit B. Ka qenë një fitore e merituar kjo e skuadrës universitare, e cila, madje, me pak kujdes, mund ta kishte fituar me herët dhe më lehtë këtë sfide, pasi gaboi në çastet vendimtare të setit të tretë, teksa ishte në kryesim. Sidoqoftë, ekipi i trajnerit Hasan Gurabardhi merr 3 pikët, që sigurojnë vendin në gjysmëfinale.
Më herët, skuadra e Vllaznisë mundi 3-1 Skënderbeun, në një ndeshje në përgjithësi të dominuar nga volejbollistet shkodrane. Skënderbeu bëri një ndeshje të dobët dhe fitoi setin e dytë, vetëm pasi përfitoi nga një ulje e ritmit nga ana e Vllaznisë, që i fitoi setet e saj me diferenca të mëdha pikësh. Vllaznia do të provojë të dielën të shtangë Tiranën në ndeshjen e tretë në grup, në duelin që do të japë verdiktin për vendin e dytë në Grupin B dhe, bashkë me të, edhe për vendin në gjysmëfinale.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Grupi B
Dita e parë, 30 nëntor 2018:
Barleti Volej – Vllaznia 3-1
(25-22, 21-25, 25-17, 25-8)
Tirana – Skënderbeu 3-0
(26-24, 25-15, 25-15)
Dita e dytë, 1 dhjetor 2018:
Vllaznia – Skënderbeu 3-1
(25-11, 21-25, 25-13, 25-12)
Barleti Volej – Tirana 3-1
(25-20, 25-8, 24-26, 25-20)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Barleti Volej 2 2 0 6
- Tirana 2 1 1 3
- Vllaznia 2 1 1 3
- Skënderbeu 2 0 2 0
Dita e 3-të, 2 dhjetor 2018:
Skënderbeu – Barleti Volej ora 15:00
Tirana – Vllaznia ora 17:00