Gjergj Vyshka 26.04.2016 07:05
Barleti Volej, kampionia në fuqi e volejbollit të femrave, dje ka treguar një provë karakteri shumë të fortë, teksa ka përmbysur një ndër ndeshjet e saj më të vështirë. Është një përmbysje shumë e madhe këtë sezon për skuadrën e trajnerit Hasan Gurabardhi, e cila në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, përballë publikut të shumtë të Tiranës, ka kaluar nga disavantazhi 0-2 në 3-2.
E ajo që të vjen keq është Tirana e Gorenxës dje nuk e ka pasur fatin me vete, ndërsa ka bërë një nga ndeshjet e saj më të mira. Dhe kur shifrat e ndeshjes janë totalisht të barabarta do të thotë se të dyja skuadrat finaliste kanë qenë dhe mbeten të denja për njëra-tjetrën. Sepse në 5 sete Tirana ka shënuar në total 100 pikë prej të cilave 67 pikë vetë, kurse 33 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barleti Volejit.
Në krahun tjetër e njëjta situatë; në pesë sete në total Barleti Voleji ka shënuar 100 pikë prej të cilave 67 pikë vetë, kurse 33 pikë kanë ardhur nga gabimet e Tiranës. Nëse fitoi Barleti Voleji kjo ka ardhur dhe nga një vetëkënaqësi e Tiranës, pa thënë që loja me hope e kampioneve vë në diskutim dhe vendimet e gjyqtarëve Shehu e Mujo, por dhe të ndihmësve Kojku, Kacadei, Zuna e Nurçe.
E megjithatë në fund ka fituar Barleti Volej, sepse ka shpërthyer atëherë kur nuk kishte se çfarë të humbiste më.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Programi i finaleve të “play-off”-it
për titullin “kampion”
22 prill 2016:
Barleti Volej – Tirana 3-1 (1-0)
(25-9, 23-25, 25-21, 25-21)
25 prill 2016:
Tirana – Barleti Volej 2-3 (0-2)
(25-14, 25-21, 21-25, 16-25, 13-15)
28 prill 2016:
Barleti Volej – Tirana ora 18:00
1 maj 2016:
Tirana – Barleti Volej ora 18:00
(nëse do të jetë e nevojshme)
4 maj 2016:
Barleti Volej – Tirana ora 18:00
(nëse do të jetë e nevojshme)