AlbanianSport.com 18.12.2014 22:35
ASNN – Në përfundim të ndeshjes së fituar me Adën e Velipojës, trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi do të deklaronte: “Na ka gëzuar fitorja dhe marrja e 3-pikëshit. Fituam ndaj një Ade modeste, e cila drejtohet nga një trajner pasionant si Kreshnik Krepi, që po mundohet ta ngrejë skuadrën në shkallët më të larta të renditjes.”
“Skuadra jonë e kërkoi golin shpejt dhe e gjeti atë me Malon në minutën e 16-të, – ka vijuar ai. – U duk sikur e vumë ndeshjen nën kontroll, por goli i tyre i barazimit na nxorri punë, aq sa me shumë vështirësi kemi shënuar në fundin e pjesës së parë. Shënuam dhe golin e tretë.”
“Por goli i tyre i dytë na futi drithërimat, ndërsa tashmë do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, – pohoi në përfundim trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi. Kurse për trajnerin e Adës, Kreshnik Krepi, Besëlidhja ka qenë një kundërshtar i vështirë: “Besëlidhja e meritoi fitoren. I falënderoj për mikpritjen, shpresoj për ndeshje më të mira të skuadrës sonë.”