AlbanianSport.com 27/02/2019 23:55
ASNN – Luis Suarez turpëron Realin në “Bernabeu”, Barcelona shkon në finale e Kupës së Mbretit. Barcelona ia del sërish përballë Realit të Madridit. Edhe pse ndeshja e parë në “Kamp Nou” ishte mbyllur në barazim 1-1, ishte parashikuar që Reali do ta kishte të vështirë të kualifikohej në finale e Kupës së Mbretit përballë katalanëve. Megjithatë, nën një atmosferë elektrizuese dhe në fushën e tij, Reali tentoi të bëjë më të mirën dhe në pjesën e parë ia doli të ushtrojë presion të madh, duke qenë disa herë pranë golit.
Por gardiani gjerman i portës së Barcelonës, Ter Shtegen, nuk ua dha kënaqësinë e golit, duke bërë pritje të mrekullueshme. Të qetë, dominues në pikat kulmore të fushës dhe në kundërsulm, katalanët ditën ta fitojnë ndeshjen në pjesën e dytë. Kjo pasi fraksioni i parë i lojës u mbyll në barazim 0-0. Menjëherë sapo nisi pjesa e dytë ishte Luis Suarez që kaloi Barcelonën në epërsi, duke bërë që Reali të humbasë toruan dhe të bëjë gabime në vijimësi.
Më i miri nga madrilenët ishte Vinicius, i cili i fitoi të gjitha duelet me mbrojtjen katalane në krahun e majtë të sulmit madrilen, por fati nuk ishte me talentin brazilian në këtë ndeshje, pasi shokët nuk iu përgjigjën lartësisë së lojës së tij, ndonëse edhe ai vetë shpërdoroi raste të pastra për shënim. Modriçi ishte shumë i tërhequr, Krosit i kishin rënë “bateritë”, Benzema ishte izoluar, ndërsa Kasemiro nuk ishte në ditën e tij më të mirë.
Në krahun tjetër gjërat u bënë të lehta me një Buskets në superformë, Zhordin Albën e pakalueshëm, Dembelenë që ndihmoi sot skuadrën dhe të zakonshmin Mesi që di të japë pasimin e fundit atëherë kur duhet. Sidoqoftë, heroi i ndeshjes do të ishte Suarez i cili futi dy herë topin në rrjetë me të njëjtën skemë. Dembele zbulohet në të djathtë me shpejtësi, kroson në zonë afër vijës së portës dhe atje gjendet Suarez sa për të shtyrë topin në rrjetë.
Por me një dallim, sepse tek goli i dytë topin në rrjetë e tij e shtyu mbrojtësi Varane në minutën e 69-të. Por Barcelona nuk do të ndalej me kaq, pasi Suarez vetë fiton një 11-metërsh pas shkeljes së këmbës që i bëri Kasemiro dhe në minutën e 73-të, me një “panenka” realizon golin e tretë për Barcelonën dhe golin e “nokautit” për Realin, duke bërë që minutat më pas të luhen sa për statistikë, pasi “Los Blancos” nuk e kishin më forcën as t’i afroheshin portës “blaugrana”.
Për pasojë katalanët shkojnë në finalen e Kupës së Mbretit dhe presin fituesin e çiftit Valencia-Real Betis, duel që do të luhet të enjten në orën 21:00. Dueli i parë midis tyre ka përfunduar në barazim 2-2.