AlbanianSport.com 07.06.2015 15:30
ASNN – Barcelona ka mundur 3-1 Juventusin në finalen e luajtur në Berlin duke fituar kështu Ligën e Kampioneve. Për Barçën shënuan, Rakitiç, Suarez dhe Nejmar. Ndërsa golin për Juven e realizoi Morata. Skuadra spanjolle e fiton këtë trofe për herë të pestë në histori. Kështu, Barcelona është shpallur për herë të 5-të “kampione e Evropës”, pasi ka mundur 3-1 Juventusin, në finalen e luajtur të shtunën në mbrëmje në “Olimpiastadion” të Berlinit.
Barcelona e nis me gol që në minutën e 4-t të takimit. Një aksion i shkëlqyer me pasime të shkurtëra nga katalanasit dhe Rakitiç shënon. Goli ka tulatur juventinët, ndërsa futbollistët e Barçës kontrollojnë lojën me qarkullim të dendur të topit. Me rezultatin 1-0 në favor të Barcelonës mbyllen 45 minutat e para. Në të dytën, Juventusi guxon më tepër dhe, pas 10 minutash lojë, Morata shënon golin e barazimit. Tevez godet, grushton Ter Shtegen dhe Morata fare pranë portës e çon topin në rrjetë.
Goli u ka dhënë zemër italianëve, të cilët rrezikojnë, por, duke përfituar edhe nga loja e hapur, Barcelona do të gjejë edhe golin e dytë. Mesi gjuan rrezikshëm nga jashtë zone, grushton Bufon dhe Luis Suarez do ta përcjellë topin në rrjetë në minutën e 68-të. Juventus nuk arrin të shënojë më në portën e Barçës, ndërsa kjo e fundit i çon në 3 golat, kur Nejmar mposht për herë të tretë Bufon në minutat shtesë të lojës. Më pas festa është për Barcelonën.
Kapiteni Ksavi ngre trofeun e Ligës së Kampioneve të cilin ia dorëzon presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Barcelona bëhet skuadra e vetme evropiane që arrin të fitojë 3 trofetë, për herë të dytë, titullin “kampion” e Kupën e Spanjës dhe Ligën e Kampioneve. Për Juventusin është e 6-ta herë që humbet finalen e Ligës së Kampioneve nga 8 të luajtura duke vendosur një rekord negativ në këtë rast.