AlbanianSport.com 24.04.2015 12:30
ASNN – Barcelona-Bajern i Mynihut dhe Juventus-Reali i Madridit janë dy çiftet e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, shorti i të cilave është hedhur të premten në Nion të Zvicrës. Ndeshjet e para do të luhen më 5 dhe 6 maj dhe ato të kthimit më 12 dhe 13 maj 2015.
Po kështu është hedhur edhe shorti i Ligës së Evropës dhe çiftet gjysmëfinale janë Napoli-Dnjepër dhe Sevilja-Fiorentina. Në Nion të Zvicrës është hedhur shorti i gjysmëfinaleve të dy veprimtarive kontinentale të klubeve, Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës, i cili ka dhuruar disa përballje interesante.
Për trofeun më prestigjioz të klubeve të Evropës, Barcelona do të përballet në njërin çift me Bajernin e Mynihut, në një duel midis gjigandëve të futbollit, që vitet e fundit kanë dhuruar spektakël. Më i fundit ishte dueli i tyre në sezonin 2012-2013 të Ligës së Kampioneve, ku Bajerni i fitoi 4-0 në shtëpi dhe 3-0 në “Kamp Nou”, për një rezultat të përgjithshëm 7-0, që është edhe më i thelli i një gjysmëfinaleje në Ligën e Kampioneve.
Në çiftin tjetër, Juventusi do të sfidojë Realin e Madridit, një duel që rikthehet në këtë fazë pas 12 vjetësh, kur italianët triumfuan, për të vijuar më pas në finale, ku u mundën nga Milani pas goditjes së 11-metërshave. Të dyja skuadrat diskutuan finalen e 1998-s, ku madrilenët fituan me një gol të vetëm, ndërsa bilanci prej 15 përballjesh, flet për një epërsi të lehtë të Realit, që ka fituar 8 nga këto takime, kurse Juventusi 7.
Ndeshjet e para gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve do të luhen më 5 dhe 6 maj dhe ato të kthimit më 12 dhe 13 maj 2015. Po kështu është hedhur edhe shorti i Ligës së Evropës dhe çiftet gjysmëfinale janë Napoli-Dnjepër dhe Sevilja-Fiorentina. Ndeshjet e para do të luhen më 7 maj dhe ato të kthimit më 14 maj 2015.