AlbanianSport.com 05.03.2015 12:05
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka luajtur të mërkurën takimet e javës së 17-të, duke bërë që kreu i renditjes të ngjeshet. E njëjta tablo ka qenë edhe në grupin e Jugut , ku nga 5 takime, vetëm njëri prej tyre u fitua nga skuadra vendase, dy të tjerët u fituan nga skuadrat mike dhe dy takimet e tjera u mbyllën në barazim, madje me rrjeta të paprekura.
Kështu, Lushnja kryesuese është mundur minimalisht në fushën e vet nga Sopoti. Skuadra e Artan Banos ka arritur ta ruajë vendin e parë, por vetëm falë një golaverazhi më të mirë sesa Bylisi. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i librazhdasve, Gentian Stojku, e ka cilësuar atë një fitore me shumë vlera, ndërsa homologu i tij lushnjar, Bano, ka vajtuar rastet e humbura.
“Një humbje që na dhemb sepse ekipi punoi dhe pati raste, – ka deklaruar kreu i stolit të skuadrës lushnjare. – Mendoj që ekipi nuk e duroi dot anën psikologjike dhe ishte i mbingarkuar. Kemi reaguar pas golit. Ndoshta edhe ishim të pafat në këtë sfidë, sidomos me shtyllën e Çelës dhe me 3-4 episode të tjera që ishin raste shumë të pastra për gol.”
“Ky është futbolli, kundërshtari të vjen një herë në portë për 90 minuta, shënon një gol që sipas pamjes sonë nisi nga pozicion jashtë loje”, – ka përfunduar trajneri i Lushnjës, Artan Bano. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Sopotit, Gentian Stojku ka deklaruar: “Në këtë pikë të kampionatit, ndeshja me Lushnjën ishte më shumë se e rëndësishme dhe si të tillë e kishim vlerësuar.”
“Lojtarët hynë në fushën e lojës pa presion dhe të qetë për të bërë lojën e tyre sa më mirë, – ka vijuar trajneri i librazhdasve. – Dhe ky duket se ishte dhe çelësi i suksesit ndaj Lushnjës. Të qetë dhe të aftë për të bërë diferencën në momentin e duhur, lojtarët treguan veten duke shënuar një gol dhe më pas ditën të menaxhojnë rezultatin deri në minutën e fundit.”
“Ky ekip bën të pamundurën të mundur duke befasuar dhe surprizuar me rezultatet. Jam i lumtur për këtë fitore dhe për këtë skuadër që drejtoj. Ishte një sukses që besoj se do të na ndihmojë të bëjmë historinë dhe të ngjitemi në elitë. Tashmë, duhet të përqendrohemi te sfida e radhës”, – ka përfunduar trajneri elbasanas i Sopotit, Gentian Stojku.