AlbaniaSport.net 25.01.2015 19:35
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat e para Olimpike Evropiane, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Bakù, u zhvillua një seminar mbi komunikimin dhe promovimin e kësaj veprimtarie, në të cilin mori pjesë edhe Shqipëria. Lojërat e para Olimpike Evropiane do të zhvillohen në kryeqytetin azer, nga data 12, deri në 18 qershor 2015.
Azerbajxhani do të presë gjatë kësaj vere Lojërat e para Olimpike dhe, në këtë kuadër, në kryeqytetin Bakù u zhvillua një seminar mbi komunikimin dhe promovimin e kësaj veprimtarie. Në këtë seminar, Shqipëria u përfaqësua nga dy gazetarët sportivë, Altin Kodra dhe Jagert Dyrmishi.
Gjatë punimeve të seminarit, pjesëmarrësit që vinin nga media dhe Komitete Olimpike të vendeve të ndryshme të Evropës, u njohën me përgatitjet për këto Lojëra Olimpike, me ndryshimin e metodës së komunikimit me mediat gjatë zhvillimit të tyre, si dhe me aspekte të tjera organizative dhe mediatike të këtij evenimenti madhor kontinental.
Në vijim, pjesëmarrësit vizituan edhe komplekset e reja dhe ekzistuese sportive që do të mirëpresin këto Lojëra, të tilla si Qendra Akuatike, ku do të zhvillohen garat e notit dhe disiplinave të tjera të ujit, apo Stadiumi Kombëtar, që do të mirëpresë shumicën e garave.