AlbanianSport.com 21/06/2020 23:10
ASNN – Është diskutuar shpesh formula e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe kohët e fundit po kritikohet ashpër për 10 skuadra në Kategorinë Superiore. Natyrisht, arsyetimi themelor është që të minimizohen aleancat dhe të mos bjerë cilësia e garës, por zërat kundër po shtohen, duke theksuar se këto dy argumente nuk mjaftojnë përballë një sërë kundërargumentesh të tjerë. Një nga këta zëra është ish-lojtari e më pas, ish-trajneri i njohur i Partizanit dhe Kombëtares kuqezi, Neptun Bajko.
“Pse u dashka një kampionat me 10 ekipe kur vetë drejtuesit e klubeve, në sondazhin që ka bërë kjo gazetë, janë shprehur unanimisht kundër?! – ngre Bajko pyetjen, i cituar nga e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”. – Pikërisht ky sistem ka sjellë një mjerim të vërtetë të kësaj loje, që aq shumë e kanë dashur mijëra futbolldashës në Shqipëri. Pse të rinjtë, me qindra, të mos kenë hapësirë të luajnë në Shqipëri? Sistemi me 10 ekipe ka dështuar me kohë. Duhet ndryshim!”
Përveç argumentit të kufizimit të hapësirës për futbollistët vendas, sidomos atyre të rinje, ish-trajneri i njohur e vë theksin edhe tek zbehja gjeografike e Superiores, çka po çon edhe në largimin e sportdashësve. “Ne kemi humbur e po humbim karakteristikat më të çmuara me të cilat jemi rritur dhe edukuar, – thotë 71-vjeçari për të përditshmen sportive në fjalë. – Ne po humbasim futbollin e sportdashësit e Vllaznisë, Besës së Kavajës, Elbasanit, Dinamos, Lushnjës, Luftëtarit, Besëlidhjes, Kastriotit, Shkumbinit, etj., për t’u ndalur te krenaria e nivelit të futbollit tonë në dekada, Flamurtari i Vlorës.”
Për këtë arsye, Bajko kërkon të reflektohet dhe të kuptohet se çfarë humbjesh dhe ç’pasoja ka e gjithë kjo në ecurinë e nivelit të futbollit tonë. “Këta kërkojnë që me këtë skemë të rriten financat, të shtohen talentet, të minimizohen aleancat, por në fakt kjo nuk ka ndodhur. Dhe ky futboll është tej mase i drobitur. Është njësoj sikur t’i kërkosh makinës të japë përtej limiteve të saj. Prandaj ata që menaxhojnë klubet dhe futbollin duhet të reflektojnë sa më parë”, – ka përfunduar Bajko, duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”.