AlbanianSport.com 12.03.2015 07:55
ASNN – Plot 11 gola ka dhuruar mbrëmja e së mërkurës në Ligën e Kampionve, pasi Bajerni i Mynihut ka shpartalluar në kuptimin e vërtetë të fjalës ukrainasit e Shahtjorit të Donjeckut, duke fituar me rezultatin 7-0. Ndërsa në takimin tjetër, Paris SG-ja ka marrë një barazim 2-2 në Londër ndaj Çellsit, edhe pse luajti për më tepër se 90 minuta me 10 lojtarë, duke u kualifikuar për në çerekfinale.
Liga e Kampioneve ka luajtur të mërkurën në mbrëmje takimet e kthimit të dy çifteve të tjera dhe Bajerni i Mynihut ka shkatërruar në “Allianz Arena” Shahtjorin e Donjeckut, duke fituar me rezultatin e thellë 7-0. Ndonëse ndeshja e parë, e luajtur në Ukrainë, është mbyllur me rrjeta të paprekura, ajo e kthimit ka qenë rrugë me një kalim për gjiganden gjermane.
Kjo sepse, pasi një karton i kuq për miqtë që në minutën e 3-të, që çoi në golin e parë të Bajernit, pas 11-metërshit të saktë të Mylerit, thjesht hapi rrugën për një festival golash. Boateng në pjesën e parë dhe Riberi, Myler, Batshtyber, Levandovski dhe Gëtce në të dytën vulosën fitoren me shifrat 7-0 dhe kualifikimin midis 8 më të mirave të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Ndërkaq, Paris SG-ja ka vizituar Londrën për t’u ndeshur me Çellsin, në duelin takimi i parë i të cilit, i luajtur në kryeqytetin francez, është mbyllur me rrjeta të paprekura. Francezët kanë kapërcyer gjykimin e dobët të holandezit Kuipers, daljen me karton të kuq të yllit të skuadrës, Zllatan Ibrahimoviç, si dhe luajturit me më tepër sesa 90 minuta me 10 lojtarë, duke marrë një barazim heroik 2-2 pas 120 minutave dhe duke u kualifikuar për më tej falë golave të shënuar në fushë të huaj.
Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën të dyja skuadrat janë shënuar nga një gol secila në 9 minutat e fundit të kohës së rregullt, duke bërë që ndeshja t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Në të parën, janë sërish anglezët që kalojnë në epërsi me një 11-metërsh, por parizienët nuk jepen, duke barazuar në pjesën e dytë shtesë dhe duke e eliminuar kështu Çellsin e trajnerit portugez, Zhoze Murinjo.