AlbanianSport.com 03.05.2016 16:10
ASNN – Bajerni i Mynihut do të presë sonte në “Alianz Arena” Atletikon e Madridit duke synuar të përmbysë atë humbje minimale të pësuar para një jave në Spanjë. Për trajnerin e bavarezëve, Guardiola, skuadra duhet të bëjë kujdes të mos pësojë gol, ndërsa për homologun e tij te madrilenët, Simeone, i rëndësishëm është kualifikimi dhe jo mënyra sesi arrihet ai.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, do të njohë sonte finalistet e saj të parë, kur Bajerni i Mynihut dhe Atletiko e Madridit të zbresin në fushën e blertë të stadiumit të mrekullueshëm, “Allianz Arena” për të zhvilluar ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve. Takimi i parë, i zhvilluar para një jave në “Visente Kalderon”, i fitua nga madrilenët me një gol të vetëm, të shënuar që në minutën e 11-të.
Por bavarezët kanë premtuar ta përmbysin gjithçka sonte në fushën e tyre. “Do të ishte gabim të mendonim vetëm për sulmin, pasi një gol i pësuar do të na ndërlikonte gjithçka”, – ka thënë trajneri katalan i bavarezëve, duke vijuar: “Por unë besoj se do t’ia dalim ta përmbysim, siç bëmë ndaj Juventusit”. Ndërsa për Atletikon, të cilës do t’i mungojë Godini, i rëndësishëm është kualifikimi dhe jo mënyra sesi arrihet ai.
Trajneri Diego Simeone ka pranuar se do t’i mjaftonte barazimi në Mynih, por thekson se skuadra e tij do të luftojë për gjithçka. Takimi i kthimit i çiftit tjetër gjysmëfinal, ai midis Realit të Madridit dhe Mançester Sitit, luhet të mërkurën në kryeqytetin spanjoll.