AlbanianSport.com 06.11.2014 07:05
ASNN – Roma pëson një tjetër humbje nga Bajerni i Mynihut në Ligën e Kampioneve, ndërsa Mançester Siti mundet në fushën e vet 2-1 nga CSKA-ja e Moskës. Mesi shënon dy gola ndaj Ajaksit dhe barazon rekordin e Raulit me 71 gola të realizuar në Ligën e Kampioneve. Fitore kanë arritur edhe Paris SG-ja, Sportingu i Lisbonës, Portoja dhe Shahtjori i Donjeckut. Ndërsa Çelsi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Mariborin.
Një mbrëmje spektakli dhe rekordesh ishte ajo që mbylli ndeshjet e katërta në grupet e Ligës së Kampioneve. Kështu në grupin E, CSKA-ja e Moskës i ka rrëmbyer një 3-pikësh të vlefshëm Mançester Sitit, teksa ka fituar 2-1 në fushën e anglezëve. Dumbia shënon dy gola në portën e Sitit, kundrejt atij të shënuar për skuadrën angleze nga të Jaja Turesë. Mançester Siti ndodhet tashmë në vendin e fundit të grupit E, me vetëm 2 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje.
Roma mundet sërish nga Bajerni i Mynihut, falë golave të shënuar nga Riberi dhe Gëce. Bajerni është tashmë i kualifikuar ndërsa mbetet për t’u përcaktuar skuadra e dytë që do ta shoqërojë më tej, pasi Roma dhe CSKA-ja e Moskës janë me nga 4 pikë secila. Në grupin F, Barcelona ka mundur Ajaksin 2-0 dhe Lionel Mesi, me dy golat e shënuar, idhuron skuadrës së tij kualifikimin për më tej në këtë veprimtari prestigjioze, ndërsa arrin të barazojë rekordin e Raulit, me 71 gola të shënuar në Ligën e Kampioneve.
Paris SG-ja fiton me APOEL-in e Nikozisë dhe falë golit të Kavanit arrin të ruajë vendin e parë në grup. Në grupin G, mbetet gjithçka e hapur përsa i përket kualifikimit. Sportingu i Lisbonës ka mundur 4-2 Shalke 04-n, duke rihapur luftën për kualifikim. Çelsi barazon me Mariborin, ndërsa Eden Hazardi humbet një 11-metërsh, duke i hequr kështu mundësinë skuadrës së tij për të fituar. Porto ka fituar 2-0 me Atletikon e Bilbaos duke i hequr kështu mundësinë skuadrës baske për t’u kualifikuar.
Ndërsa Shahtjori i Donjeckut i shkakton një tjetër humbje të thellë BATE Borisovit. Tashmë në grupin H kryesojnë Porto dhe Shahtjori i Donjeckut.