AlbanianSport.com 07.05.2016 18:45
ASNN – Bajerni i Mynihut është shpallur për herë të katërt radhazi “kampion” i Bundesligës gjermane. Bavarezët mposhtën Ingolshtadtin në fushën e këtij të fundit, me rezultatin 2-1. Të dy golat për skuadrën e trajnerit Pep Guardiola i shënoi sulmuesi polak, Robert Levandovski.
Në të njëjtën kohë, Levandovski bëhet futbollisti i parë që nga sezoni 1980-1981 që arrin të shënojë 29 gola në një sezon të Bundesligës, që kur Rumenige e kishte arritur një gjë të tillë. Bajerni shpallet kështu “kampion” me 85 pikë, ende pa përfunduar sezoni.
Ky është titulli i 26-të për Bajernin dhe i katërti radhazi, si asnjë skuadër tjetër në Bundesligë. Por sërish ky është një titull që ndoshta do të zbusë, por jo të shuajë polemikat dhe kritikat ndaj Guardiolës pas eliminimit nga Liga e Kampionëve në mesjavë.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Borusia e Dortmundit lëshoi terren ndaj Eintrahtit të Frankfurtit dhe ky i fundit siguroi një fitore 1-0, që e nxjerr nga tre vendet që bien nga kategoria, tre vende ku aktualisht janë emra si të njohur si Verder Bremeni, Shtutgarti dhe Hanover 96-ta.