AlbanianSport.com 05/02/2020 23:10
ASNN – Kryeson bindshëm për 80 minuta, por lëshon në 10 minutat e fundit përballë Hofenhaimit. Bajerni i Mynihut ka kryesuar deri në 4-1 dhjetë minuta para fundit, por ka vuajtur për mposhtur më pas 4-3 Hofenhaimin, në takimin që uli siparin e turit të 16-shes të Kupës së Gjermanisë. Kjo ndeshje është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport.
Kështu, takimi i fundit i turit të 16-shes të Kupës së Gjermanisë, që është luajtur të mërkurën në mbrëmje dhe që gjithashtu është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka qenë ai midis Bajernit të Mynihut dhe Hofenhaimit. Takimi i zhvilluar në mitikun “Alianz Arena” ka nisur keq për vendasit, pasi një autogol i Boatengut do t’i kalojë miqtë në epërsi në minutën e 13-të.
Por vetëm 7 minuta më pas, një tjetër autogol, këtë herë i Hubnerit të Hofenhaimit, do të rikthejë barazinë në shifra. Në minutën e 31-të, do të jetë Tomas Myler ai që do të gjejë golin e 3-të për Bajernin, që përmbys kështu shifrat pas një gjysmë ore lojë. Vetëm 5 minuta më pas, Myleri është sërish protagonist i një aksioni të finalizuar me sukses me një goditje me kokë brenda zonës nga Levandovski. Në shifrat 3-1 në favor të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohin një lojë të hapur.
Përtej përpjekjeve të miqve, do të jetë Bajerni që do të gjejë edhe golin e 4-t 10 minuta para fundit, kur Levandovski firmos dygolëshin e tij në këtë ndeshje. Por ku u duk se gjithçka ishte mbyllur sa i përket kësaj ndeshjeje, është Munas Daburi ai që shkurton shifrat në minutën e 82-të. I njëjti lojtar do të shënojë edhe golin e 3-të të Hofenhaimit, në minutën e fundit të kohës së rregullt. Përtej drithërimave në minutat shtesë, Bajerni i Mynihut e mbron fitoren në shifrat 4-3 dhe është në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë.