AlbanianSport.com 26/10/2021 20:25
ASNN – Matias Morla, ish-avokati i Diego Armando Maradonës, ka mbështetur idenë se mjekimi që i është bërë ish-futbollistit argjentinas pas operacionit në kokë, ka qenë i keq, jo i duhuri, gjë që ka çuar në vdekjen e tij. Këtu ka ndikuar edhe neglizhenca e vajzave të tij, Dalma e Xhanina, që autorizuan transferimin e tij në një vilë pa kushtet e duhura, në vend që ta mbanin të shtruar në spital. Morla i ka dhënë detaje të tjera San Isidros, i cili që po heton për shkaqet që çuan në vdekjen e Maradonës.
Avokati është takuar për herë të fundit me ish-futbollistin në 16 nëntor 2020, 9 ditë para largimit nga jeta të legjendës botërore të futbollit. “Gabimet që çuan në vdekjen e Maradonës, kanë qenë të shumta, – ka thënë Morla. – Ai u fry aq shumë saqë zemra e tij plasi. Kura mjekësore që i dhanë atij ka qenë e keqe, gjë që çoi në vdekjen e tij në 25 nëntor 2020”, – ka këmbëngulur avokati. Duke kujtuar se ish-ylli argjentinas, kishte edhe probleme me veshkat dhe mëlçinë, insufiçiencë kardiake, shqetësime neurologjike e varësi nga alkooli dhe droga.
“Kur hyra në shtëpi, – kujton avokati, – kishte një zë të çuditshëm, si ai i një roboti, shumë akut dhe me ndërprerje. I informova të gjithë për gjendjen e tij shëndetësore. Më pas e kuptova se e kishte nga sasia e madhe e ujit që kishte në trup.” Në fund, Morla e ka quajtur një çmenduri vendimin e familjarëve për vazhdimin e mjekimit të Maradonës në një mjedis jashtë spitalit. Dhe për këtë akuzon dy vajzat e ish-futbollistit, Dalma dhe Xhanina për papërgjegjshmëri.