Gjergj Vyshka 06.01.2017 15:15
Taulant Stërmasi, trajneri i nënkampiones së Evropës në 3,000 metra me pengesa, ka rrëfyer ditët stërvitore të Luiza Gegës në Iten të Kenia. Ai shpjegon se të gjitha përgatitjet janë fokusuar tashmë për vrapimin në distancën e 3,000 metrave. “Mendoj se brenda mesit të shkurtit do të jenë garat e para, ndërsa do të zbresim në sallat e mbyllura për të vrapuar, – ka thënë Stërmasi.
“Por, për dy javë, besoj se përshtat do të ketë përfunduar nga lartësia dhe aty mund të themi se ku do të rrahim sivjet në rezultate, – ka vijuar trajneri. – Sigurisht që fokusi kryesor do të jetë 3,000 metra, por ndoshta dhe ndonjë garë në 1,500 metra. Luiza është fokusuar në 3,000 metra dhe stërvitja aty është përqendruar që në ditën e parë të këtij viti.”
“Duhet të shpjegojmë që, në salla të mbyllura, nuk ka gara në 3,000 metra me pengesa. Kështu që stërvitja është duke u bërë e tillë që në maj kur të nisin garat e “Diamond Ligën” të jemi në super formë”, – ka përfunduar Stërmasi, ndërsa Kampionati Ballkanik dhe Evropian i Sallave të Mbyllura dhe Botërori i verës në Londër do të jenë shansi ideal për ta parë dhe një herë tjetër Gegën në podiumin e medaljeve.