Gjergj Vyshka 09.03.2017 11:35
Trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, ka treguar se ka qenë i kënaqur me paraqitjen e sportistes së tij për herë të fundit në 1,500 metra në Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura. “Unë jam i kënaqur, – thotë Stërmasi, – me atë që Luiza dha në Beograd. Ne nuk kishim me një objektiv të caktuar, sepse ishte hera e fundit që konkurronim në 1500 metra, një garë të cilën nuk e bëjmë që prej një viti e gjysmë.”
“Ne mund dhe të mos shkonim në Kampionatin Evropian, por duke qenë se ishte vetëm Izmiri dhe delegacioni shqiptar ishte i vogël, atëherë pranuam të konkurronim edhe për hir të Federatës Shqiptare të Atletikës”, – ka zbuluar ai. 1500 metra, apo 3000 metra pa pengesa, duke qenë se Gega në këtë garë ishte në vendin e dytë në Francë? Kjo ishte pyetja për trajnerin Stërmasi.
“Shiko, nuk ishte se kishte ndonjë ndryshim të madh, plus-minus, përsëri në atë do të vinte, – është përgjigjur ai. – Sepse konkurrentet ishin më të forta. Megjithatë duhet theksuar se Gega ka qenë e pamundur në Beograd, ndërsa ka vuajtur një bronkopneumoni në të dy krahët. Thjesht jo vetëm në garat e mitingjeve ndërkombëtare, por dhe në Evropian, pamë se ku ishte pas përgatitjeve në Kenia.”
“Mos harroni që kemi zbritur në 6 shkurt dhe këtu ishte ende ftohtë”, – ka shtuar ai. Dhe Botërori i Londrës është objektivi më i madh. “Tanimë Luiza me 9’28”52 është në 10 atletet më të mira të listës së botës për 3000 metra me pengesa, – ka theksuar Stërmasi. – Në të tilla kushte që tani kanë nisur kërkesat për pjesëmarrjen e saj, duke nisur që nga “Diamond Liga”, më 23 maj 2017, në Shanghai.”