AlbanianSport.com 16.08.2015 20:25
ASNN – Rreth 600 sportistë të cilët morën pjesë në Botërorin e Atletikës, të mbajtur në Daegu të Koresë së Jugut, në vitin 2011, kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara, apo thënë ndryshe, për “doping”.
Ky është pretendimi bombastik që ka publikuar e përjavshmja britanike “Sunday Times” e cila bazohet në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Antidopingut (WADA) dhe është vijim i një lajmi të mëhershëm të kësaj gazete.
Sipas studimit të kryer nga një Universitet në Gjermani, shumë atletë e kanë pranuar përdorimin e substancave të ndaluara rreth 12 muaj përpara Botërorit, ndërkohë që sipas “Sunday Times”, Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) e ka vonuar publikimin e analizave pa asnjë arsye.
Para ca ditësh kjo e përditshme publikoi një shkrim ku bënte me dije se përdorimi i substancave të ndaluara në atletikë tashmë është bërë rutinë dhe sipas të dhënave, një e treta e medaljeve viteve 2001-2012 janë fituar nga atletë me të dhëna të dyshimta.