Gjergj Vyshka 03.06.2016 07:50
Luiza Gega është e para atlete shqiptare që arrin të shkojë në Lojërat Olimpike me dy norma kualifikimit. Pas 1500 metrave, atje ku edhe është rekordmene me kohën 4’02”63, tashmë ajo është e tillë edhe në 3000 metra me pengesa. Vetëm dy ditë më parë në një garë ndërkombëtare në Francë, e vogla e artë e atletikës shqiptare jo vetëm që ka dalë e parë në 3000 metra me pengesë me kohën 9’32”98, por në të njëjtën kohë ka thyer rekordin kombëtar që mbante po vetë, si dhe ka kapur normën olimpike.
Një gjë është reflektuar shpejt në Federatën Botërore dhe Evropiane, ndërsa mbajtësja e shumë rekordeve kombëtare në atletikën shqiptare në 800, 1,500, 3,000 me dhe pa pengesa, 5,000 dhe 10,000 metra tashmë merret si fenomen. Për trajnerin Taulant Stërmasi, që prej vitesh e stërvit këtë talent të atletikës shqiptare, atë që i ka bërë dhe të gjithë krenar me rekordet dhe medaljet e saj, objektivi ka qenë që Luiza Gega të bënte atë garë në të cilën do të ndihej më mirë.
“E jo vetëm kaq, – nis të rrëfehet Stërmasi, – por dhe në atë garë që do të klasifikohej më mirë. 3000 metra me pengesa, jo vetëm nga vendosja, por dhe edhe sepse është garë më teknike, është specifike për Luizën, pasi ia arrin kohën në kalimin me pengesa”. Duke u kthyer katër vjet më përpara, Stërmasi ka treguar se edhe më 2012-ën në Lojërat Olimpike të Londrës është bërë përpjekje për të shkuar me normë kualifikimi në 3,000 metra me pengesa.
“Kemi nisur punën që në shtator 2011, mirëpo në muajin mars apo prill pësoi një dëmtim, rikuperimi i të cilit kërkonte tre muaj pushim, gjë që na prishi planet, – ka vijuar ai. – Në 2011-ën kemi thyer rekordin me 9’54”72, ndërsa norma ishte 9’48”00. Kurse tani është një normë me mesataren e bashkimit të A+B, pra një normë e vetme në kohën 9’45”00. Sigurisht që ishim përgatitur për të thyer rekordin dhe për të kapur normën.”
“Mund të kishim shkuar dhe në “Diamond Ligë”, sepse duke qenë ndër 8 më të mirat në 1500 metra, – ka zbuluar Stërmasi. – Por zgjodhëm këtë garë dhe si e tillë është e dyta në Evropë dhe ndoshta e 15-16 në botë. Por tashmë do të fokusohemi në 3,000 metra me pengesa, sepse në këtë garë do të konkurrojmë nga data 6, deri më 10 korrik 2016 në Kampionatin Evropian në Amsterdam, si dhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
“Ne pretendojmë që në 3000 metra me pengesa të jemi të 9’20” dhe në Olimpiadë të jemi në 5-6 të parat. Sepse ajo është atlete e gjysmëdistancave dhe lart”, – ka përfunduar Stërmasi.