Gjergj Vyshka 08.01.2016 11:40
Nëse dy vjet më parë është ankuar për kushtet në të cilat është stërvitur së bashku me atleten e tij, Luiza Gega, në Kenia, atje ku jo vetëm që kanë gatuar vetë, por dhe kanë paguar nga xhepi, gjë e cila ndoshta do të ndodhë dhe tani, tashmë Stërmasi nuk ankohet për kushtet e stërvitjes në Kenia. “Një fazë e mirë këtu do të na japë një stërvitje më të kompletuar për verës dhe një përgatitje shumë më cilësore e cila shkon mirë për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016””, – thotë ai.
“Dua të theksoj se kushtet e akomodimit janë shumë të mira, duke i shtuar këtu dhe lehtësitë që ka për stërvitje, e cila është shumë themelore për përgatitjen e Luizës për Botërorin e Sallave të Mbyllura në Portlend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – thotë trajneri i Gegës. Është sakrificë e madhe jo vetëm për sportisten, por dhe për trajnerin Stërmasi qëndrimi për 9 javë larg Tiranës.
Sidoqoftë, ai ka besimin se kjo stërvitje, quajtur ndryshe një periudhë përgatitore speciale, do të vlejë për gjithçka në këtë vit të rëndësishëm për Luiza Gegën, e cila për herë të parë është pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. “Shpresoj që kjo stërvitje t’ia vlejë në rezultat, pasi çdo ditë që je larg duhet të justifikosh atë që po bën, – thotë Taulanti. – Kam besim tek Luiza, pasi e shoh çdo ditë të karikuar në stërvitje, ndërsa tanimë synohet një renditje më e mirë në Botëror.”