AlbanianSport.com 22/12/2017 19:20
ASNN – Kampioni i Ballkanit dhe i Evropës në salla të mbyllura, por dhe rekordmeni kombëtar i kërcimit së gjati, në Ankona kërceu dje 8.32 m. Zyrtarisht, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, më 11 janar 2018, Smajlaj do të jetë në një miting ndërkombëtar në Stamboll. Pa harruar që do të jetë në Kampionatin Ballkanik në Stamboll, si dhe në Kampionatin Botëror të Sallave të Mbyllura në Birmingam.
Gjithashtu gjatë vitit do të jetë pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, si dhe në Kampionatin Evropian që në korrik zhvillohet në Berlin. Dhe objektivi i tij kryesor, të paktën sipas asaj që pat deklaruar në një intervistë në Televizionin e San Marinos një javë më parë, është medalja në Evropianin e Berlinit. Pa lënë mënjanë garat e tjera. Por rezultati 8.32 metra në Ankona të lë të shpresosh se shumë shpejt do ta kemi përsëri medalist ndërkombëtar Izmir Smajlajn. Si në Beograd në marsin e 2017-ës…
Izmir Smajlaj është zgjedhur një ndër prezantuesit e Festivalit të 56-të të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili ka nisur dje në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ka qenë ideja e organizatorëve që krahas moderatorit Adrian Krastës të ketë dhe personazhe të njohura nga të gjitha fushat e jetës. E nga sporti është zgjedhur Kampioni i Ballkanit dhe Evropës në Atletikës, Izmir Smajlaj.