Gjergj Vyshka 02.02.2015 08:15
Atletika shqiptare do të hapi sot sezonin e saj me garat e Kampionatit Kombëtar Individual Dimëror, të cilat do të zhvillohen në pistën me tartan të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. E vërteta është se kjo garë është shumë e rëndësishme për përzgjedhjen e ekipit kombëtar në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura në Stamboll, më 21 shkurt.
Por në këtë garë do të mungojë rekordmenia shqiptare e 800, 1500, 3000 metra dhe 3000 metra me pengesa, si dhe 5000 metra, Luiza Gega. Gega, që duket sportistja kryesore për t’u kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, është prej tre javësh në Tenerife.
Sipas trajnerit Taulant Stërmasi, ajo është duke u përgatitur atje për Ballkaniadën e Stambollit dhe Evropianin e Pragës. E megjithatë dimërori sot do të jetë në pistë, por duket se nuk do të ketë cilësinë e pritshme në mungesë të kësaj rekordmeneje shtatshkurtër, por gjithnjë e artë për atletikën shqiptare.