Gjergj Vyshka 26.02.2017 22:25
Izmir Smajlaj ka rrëfyer për “Sport Ekspres” emocionet e medaljes së artë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura. Sipas tij, dalja në vend të parë në Ballkan ishte deri diku e ditur, ndërsa objektivi i tij më i madh është Kampionati Evropian, që pas një jave zhvillohet po në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
“Në fakt, – thotë Smajlaj, – ishte e vështirë, sepse ishin 17 konkurrentë në garën time. Ma ndjente zemra se do ta çoja flamurin shqiptar në Beograd dhe në fakt ishte kënaqësi e papara kur u ngrit flamuri. Sportistët e mirë e tregojnë veten në kërcimin e fundit. Nuk ishte strategji për të pasur aq shumë luhatje në rezultate e në kërcime.”
“Por thjesht nuk më dilte hapi dhe rrahjet larg pedanës krijonin probleme, – ka sqaruar atleti sa i përket garës së tij në kërcim së gjati në Beograd. – Konkurrenti më i fortë ishte rumuni, që e mbylli me 7.82 metra. Tashmë kam hallin e Evropianit, sepse që të dilja i pari në Ballkan pak a shumë dihej.”
“Për mua është mirë, sepse është dhe thyerje rekordi në salla të mbyllura, – ka vijuar kampioni i saposhpallur i Ballkanit në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj. – Objektivi im është të futem në tre vendet e para dhe në zonën e medaljeve. Sa për këtë rezultat në Beograd gjithçka ia dedikoj familjes dhe trajnerit Tufi.”