Gjergj Vyshka 10.03.2017 12:35
Shpërblimi financiar për titullin Kampion Evrope, që është në shifrat 4.000.000 lekë të rinj, pas analizës doping. Premtohet mbështetje e madhe. “Jam vetëm me 4 orë gjumë në sy”, – thotë me humor kampioni i Evropës në kërcim së gjati në atletikë salla të mbyllura, Izmir Smajlaj. Pritje dhe intervista pa fund, ndërsa dje në mëngjes e ka gdhirë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, atje ku titullarja e këtij institucioni Lindita Nikolla e ka pritur me tufa me lule.
E jo vetëm kaq, por më pas dhe nga një gotë shampanjë, ndërsa në pritje ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, trajneri Vildan Tufi dhe Drejtori i Sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj. “Për ne, – tha ministrja Nikolla, – ishte kënaqësi e madhe shpallja e Izmirit “kampion Evrope”. E tanimë me të gjitha mundësitë që ka shpresojmë të shpallet dhe kampion bote.
“Sigurisht që ne do të vazhdojmë të mbështesim sportin, por në mënyrë të veçantë dhe atletikën shqiptare, sepse fenomene si Izmiri janë të rrallë”, – ka përfunduar drejtuesja e MAS-it. E vetë Izmiri ka falënderuar ministren për pritjen dhe mbështetjen. “Sigurisht që ekziston shpërblimi, sepse është në ligj, – ka thënë shkodrani. – Dhe do ta marrim vetëm pasi të vijë analiza antidoping.”