AlbanianSport.com 09.02.2017 18:50
ASNN – Sportisti më i mirë për meshkuj në Kampionatit DimërorIndividual të Atletikës, që u mbajt në Stadiumin “Elbasan Arena”, u shpall Izmir Smajlaj i Vllaznisë me 1101 pikë, i cili e ka vlerësuar paraqitjen e tij si një provë të mirë për veprimtaritë ndërkombëtare.
“Të them të drejtën, kjo ishte një garë për të parë më shumë se ku jemi, duke qenë edhe garat e para për këtë vit”, – ka thënë ai. Tanimë atletika shqiptare e ka hedhur vështrimin drejt Kampionatit Ballkanik të Sallave të Mbyllura, që mbahet në fund të shkurtit, por dhe në Evropianit në fillim të marsit.
“Duke e krahasuar me vitin e kaluar, jam shumë i kënaqur me rezultatin, sepse është shumë i mirë, 7.83, i cili premton shumë, gjithashtu edhe unë premtoj shumë, – ka thënë atleti shkodran. – Sidomos këtë vit, ku në fund të këtij muaji kemi Kampionatin Ballkanik në Salla të Mbyllura ku pretendoj vendin e parë.
“Më pas, kemi Kampionatin Evropian, ku synoj podiumin, – ka vijuar Izmir Smajlaj. -Synimet janë madhore, duke parë edhe atë sot (dje), sepse është një rezultat që premton shumë.” Në trehapësh dhe kërcim së gjati Izmir Smajlaj nuk hasi rezistencë, teksa te të dyja disiplinat mori vendin e parë, ashtu siç edhe pritej.