AlbanianSport.com 24/09/2019 19:25
ASNN – Atletët rusë do të vazhdojnë të vuajnë pezullimin nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Kështu ka vendosur Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), pas të dhënave të grumbulluara nga grupi i punës. Ky i fundit ka zbuluar se laboratori rus i antidopingut nuk ka përditësuar të dhënat e periudhës 2011-2015 kur shpërtheu skandali për dopingun e sponsorizuar nga shteti.
Kështu, Federata Ndërkombëtare e Atletikës, ka vendosur që mbajë ende në fuqi vendimin për pezullimin e federatës ruse të atletikës nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Kjo deri në pritje të analizave e të dhënave nga laboratori rus anti-doping që mbulojnë periudhën 2011-2015 kur dopingu i sponsorizuar nga shteti ishte i përhapur.
Lajmi është dhënë nga vetë Presidenti i IAAF-it, Sebastian Koe, gjatë një konference për shtyp. “Këshilli i IAAF-it, miratoi unanimisht rekomandimin më të fortë që ne ndoshta kemi pasur nga grupet e punës që Federata Ruse e Atletikës të mbetet e pezulluar”, – ka sqaruar ai. “Ky do të jetë pozicioni deri kur të zhvillohet Kongresi, – ka vijuar ish-atleti i mirënjohur botëror.”
“Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) do të marrë përsipër atë që është e nevojshme për të kuptuar se cilat janë këto mospërputhje dhe si mund të interpretohen këto mospërputhje, përsa i përket analizave të laboratorit rus, të periudhës 2011-2015”, – ka përfunduar Lordi britanik. Rune Anderson, shefi i grupit të punës, të ngritur nga IAAF-i, që mbulon problemet e dopingut në Rusi ka thënë se Federata Ruse e Atletikës (RUSAF) ende nuk ka marrë masat e duhura për të raportuar mbi situatën.
“Ekziston një problem i përsëritur i atletëve dhe federatave lokale të atletikës që punojnë me trajnerë, të cilët nuk e kanë kulturën e duhur për të luftuar dopingun, – ka thënë Andersoni. – Eshtë ende herët për të thënë nëse masat e raportuara të marra nga RUSAF-i do të funksionojnë. Prandaj kushtet e rikthimit të atletëve rusë në konkurrim ndërkombëtar nuk janë përmbushur ende.”