AlbanianSport.com 09.02.2017 15:35
ASNN – Në Stadiumin “Elbasan Arena” u mbajtën garat e Kampionatit Dimëror Individual të Atletikës, ku edhe u shpallën sportistët më të mirë të kësaj veprimtarie. Nuk pati surpriza në këtë aspekt, teksa Izmir Smajlaj i Vllaznisë u shpall sportisti më i mirë, pasi grumbulloi 1001 pikë. Sportistja më e mirë u shpall atletja e Tiranës, Relaksa Dauti, me 936 pikë.
Vlen për t’u theksuar se atletja Luiza Gega nuk mori pjesë në këto gara, sepse po vijon përgatitjet jashtë vendit. Nga kjo veprimtari do të dalin edhe sportistët që do të marrin pjesë në Ballkaniadën që do të mbahet në Beograd të Serbisë më 25 shkurt 2017, ku Shqipëria do të përfaqësohet me sportistët e saj elitarë. Pas garave, ka folur edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli.
“Sot (dje) po bëjmë garat e para dimërore dhe kualifikueset për Kampionatin Ballkanik në Salla të Mbyllura, që do të mbahet në Beograd, – ka deklaruar ai. – Në këtë veprimtari, ne kemi qenë kampionë dhe fitues medaljesh, ndaj pretendojmë për të marrë medalje, duke veçuar Luiza Gegën si udhëheqësen kryesore, nënkampione e Europës dhe Izmir Smajlajn, për të evidentuar formën e tyre sportive më të mirë.”
“Gega mungon për arsye logjistike dhe garën që duhet të bënte këtu po e zhvillon në Paris, në një miting ndërkombëtar, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris “Mbretëreshën e Sporteve” të Shqipërisë. – Kemi një pjesëmarrje të konsiderueshme, me atletë nga Kosova dhe Maqedonia, me një pjesëmarrje brezash, ku shpresojmë të kemi rezultate pozitive.”