Gjergj Vyshka 03.08.2016 17:10
Një tjetër Medalje Mirënjohje, e treta në tre ditë, ndërsa nënkampionia e Evropës do të jetë promotorja e nxënësve të shkollave në kryeqytet për t’u marrë me sport. Pritja e fundit për Luiza Gegën, nënkampionen e Evropës në atletikë në 3000 metra me pengesa, ka qenë dje në mesditë në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erjon Veliaj. Një takim pa shumë bujë, pa shumë kamera televizive, pa një informacion mediatik zyrtar, por që është marrë vesh vetëm nga protagonistët e asaj mbledhjeje.
Përveç Luiza Gegës dhe Taulant Stërmasi, në takim ka qenë i pranishëm Drejtori i Sorteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, Drejtoresha e Sporteve në Bashkinë e Tiranës, Edera Alibegaj, si dhe atletë të Tiranës, por edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi.
Medalje mirënjohje për Luiza Gegën nga Bashkia e Tiranës, por mbi të gjitha premtime nga kryebashkiaku Veliaj për krijimin e kushteve në stërvitje. Së pari është premtuar që nëpërmjet Këshillit Bashkiak t’i jepet ajo pjesë e mbetur e papaguar trajnerit Stërmasi, ndërkohë që një shumë e caktuar për të dhe për Gegën do të jetë nga Bashkia e Tiranës për në Rio.
Mbi të gjitha është premtuar krijimi i pistës së atletikës në parkun olimpik nëpërmjet që Gega, apo dhe të tjerë atletë të mos vrapojnë jashtë Tiranës. E për ta bërë sportin shembull për të gjithë që pas kthimit nga Rio, Gega do të jetë promotore nëpër të gjitha shkollat e Tiranës. Kështu tashmë Gegës i mbetet të justifikojë stërvitjen dhe të gjitha pritjet në Rio.