Gjergj Vyshka 06.05.2016 07:05
Dita e kërcimeve, një veprimtari që zakonisht është bërë në Stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, tashmë i zhvendosur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, duket se është bërë sa për sy e faqe. Një numër minimal pjesëmarrësish, individësh dhe klubesh, e për më tepër ka munguar ai që pritej të jepte një rezultat të mirë në kërcim së gjati.
Është fjala për Izmir Smajlajn, ndërsa sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, ka qenë pa qejf. E për rrjedhojë rezultatet nuk kanë nevojë për shumë koment, por kanë qenë të dobëta. Përtej fituesve dje janë dalluar dhe Naze Thomaj dhe Petrite Meçanaj të Mjeshtërisë Sportive Durrës, Durjan Idrizaj i Vllaznisë dhe Romeo Kordha i Mjeshtërisë Sportive Durrës.
Por edhe Anderson Çaçi i Skënderbeut, Renild Xhufi i Partizanit, Tea Fetaj e Partizanit, Xhesika Qose e Dinamos, Aleksandër Bregu i Mjeshtërisë Sportive Durrës, apo dhe Ediena Kapxhiu i Mjeshtërisë Sportive Durrës. Të gjithë në disiplinat e kërcimit së gjati, së larti dhe trehapësh kanë zënë vende të dyta dhe të 3-ta. Pas ditës së kërcimeve, që nuk dha rezultatet e pritshme, gjithçka gati për kampionatin e të rinjve, më 11 dhe 12 maj.
Dita e Kërcimeve në Atletikë
Rezultatet teknike:
Meshkuj
Kërcim së gjati Rei Toska (Partizani) 6.79 m
Kërcim së larti Klidi Malo (Skënderbeu) 1.70 m
Kërcim trehapësh Durjan Idrizaj (Vllaznia) 14.30 m
Femra
Kërcim së gjati Joana Hazizllari (Teuta) 5.31 m
Kërcim së larti Sindi Prifti (Dinamo 2010) 1.55 m
Kërcim trehapësh Dorina Myrto (Teuta) 10.90 m