AlbanianSport.com 05.07.2015 11:25
ASNN – Asafa Pauell ka triumfuar në garën e 100 metrave në mitingun e Parisit, duke dhënë kohën 9 sekonda e 81 të qindtat. Ndërsa për femra në këtë garë, vendin e parë vazhdon ta ketë atletja xhamajkane Shelli An, duke treguar se mbetet më e mira në botë.
Jusein Bolt nuk është dhe të tjerët përfitojnë. Duhej të merrte pjesë në Mitingun e Parisit, stacionin e radhës të “Diamond Ligës”, në garën e 100 metrave dhe, më pas, në Lozanë, në 200 metra, por xhamajkanit i është dashur të tërhiqet për shkak të një problemi në ije.
Por Xhamajka është prezantuar mjaft mirë nga Nesta Karter, e mbi të gjitha nga Asafa Pauell. Sprinteri ka fituar garën e 100 metrave duke dhënë kohën 9 sekonda e 81 të qindtat, rezultati më i mirë e tij për këtë sezon. Për femra në garën e 100 metrave, më e mira vazhdon të jetë atletja xhamajkane Shelli An.
Ajo ka regjistruar kohën 10 sekonda e 74 të qindtat, rezultati më i mirë në botë për këtë vit. Ajo vazhdon të kryesojë klasifikimin e atleteve femra në “Diamond Ligë”. Në garën e 110 metrave me pengesa për meshkuj, fitues ka dalë atleti kubanez, Ortega me kohën 12 sekonda e 95 të qindtat.